Secondary Adv

Tremujori II, Investimet e huaja arrijnë në 398 mln euro, kryesojnë pasuritë e paluajtshme

Rritja e Investimeve të Huaja Direkte është ngadalësuar këtë vit, pas një cikli trevjeçar me norma rritjeje relativisht të larta.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë 2025, vlera e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 398 milionë euro, në rritje me vetëm 1 milion euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 759 milionë euro, me një rritje të vogël prej 1% (rreth 8 milionë euro) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Pavarësisht se rritja është ngadalësuar ndjeshëm, në vlerë investimet e huaja direkte po shënojnë një rekord të ri historik për 6-mujorin e parë të vitit.

 

Rritja e investimeve të huaja edhe për tremujorin e dytë të vitit është mbështetur njëkohësisht nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. 52% e totalit të investimeve të huaja direkte ishin fitime të riinvestuara.

 

Edhe të dhënat progresive të 6-mujorit tregojnë se fitimet e riinvestuara vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte.

 

Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 420 milionë euro, 6.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 55% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2025.

 

Ndërsa flukset e reja të kapitalit nga investitorët e huaj për 6-mujorin kishin vlerën e 345 milionë eurove, me një rritje vjetore prej 2.4%.

 

Të dhënat për shpërndarjen e investimeve të huaja sipas sektorëve gjatë tremujorit të dytë ende nuk janë publikuar. Megjithatë, tremujori i parë i këtij viti dhe në përgjithësi 2-3 vitet pararendëse kanë treguar disa tendenca të qarta.

 

Investimet e huaja direkte po mbështeten sidomos nga sektori i pasurive të paluajtshme, por edhe nga vlerat e larta të fitimeve të riinvestuara në disa sektorë të ekonomisë. Këtu përfshihen sidomos sektori i industrisë nxjerrëse të hidrokarbureve dhe sektori financiar.

 

Gjatë tremujorit të parë 2025, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 27%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, hidrokarbureve, në masën 14%, energjetikës, në masën 6%, si dhe komunikacionit, në masën 4%.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin e kaluar investimet e huaja shënuan vlerën e 1.58 miliardë eurove, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë. Pasuritë e paluajtshme sollën pothuajse një të katërtën e vlerës totale të investimeve të huaja direkte për vitin 2024. Ato arritën në 325 milionë euro, në rritje me 17% më shumë krahasuar me vitin 2023.

 

/Monitor (https://monitor.al/investimet-e-huaja-direkte-rezistojne-ne-rritje-te-lehte/)


Më të lexuarat